A do të hapet gastronomia të hënën? Vjen lajmi i keq

Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, ka thënë se lajmi që ka qarkulluar këto ditë se gastronomia do të hapet të hënën, nuk është i vërtetë, pasi që ende nuk ka asnjë vendim dhe dakordim me ministrinë e Shëndetësisë.

Sogojeva ka pranuar se ka pasur takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ato do t’i vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, por që ende nuk ka marrëveshje për hapjen e gastronomisë.

Ai theksoi se ditëve në vazhdim do të dalin përmes një komunikate të përbashkët me ministrinë e Shëndetësisë, për t’u sqaruar vendimet që do t’i marrin.

“Nuk ka ende vendim. është lëshuar një deklaratë e ngutshme, duke u prezantuar si punë e kryer që me datë 18 do të rihapen gastronomitë, por që ende nuk është e vendosur një gjë e tillë. E vërtetë është që kemi pasur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Takimi ka qenë konstruktiv. Do të vazhdojmë takimet edhe gjatë ditës së nesërme dhe ditëve në vazhdim do të dalim me një komunikatë të përbashkët për media”, ka thënë Sogojeva në Tv Dukagjini.