Arben Vitia paralajmëroi dorëheqje, vjen reagimi nga presidenca?

Artan Behrami këshilltar i presidentit Hashim Thaci, ka reaguar pas përmendjes së dorëheqjes nga ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia.

Përmes një postimi në “Facebook”, Behrami ka thënë se është i bindur që Vitia e ka menduar dorëheqjen, por që një gjë të tillë nuk e ka pranuar kryeministri në detyrë Albin Kurti, raporton “Front Online”.

“I besoj plotësisht deklaratës së Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, që e ka menduar dorëheqjen, pas ngjarjes tragjike në Qendrën e Studentëve, ku humbi jetën një 26 vjeçar nga Gjilani. Por, një dorëheqje e tillë nuk do të pranohet kurrë nga kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti. Deklarata e tij dykuptimshme është tregues për presionin që ka Vitia për të mos dhënë dorëheqje! Ashtu siç e shtyu që ta shkelë Kushtetutën, ashtu Kurti e shtyu që të mos japë as dorëheqje”, ka shkruar Behrami në një postim në “Facebook”.

Sipas tij, Kurti është duke i çuar drejt shkatërrimit figurat më të mira të Qeverisë.

“Ky kryeministër, figurat më të mira të Qeverisë së tij është duke i çuar drejt vetëshkatërrimit. Arben Vitia dhe Glauk Konjufca janë viktimat e para të tij! Deri sa ai vazhdon t’i amnistojë Haki Abazin dhe Shkëlzen Gashin!”, ka shkruar ndër të tjera ai.