Blerim Latifi: Nuk mbrohet sovraniteti i Kosovës duke iu thënë ‘’Jo’’ SHBA-ve

”Ne jemi shtet i papërfunduar, e në këtë situatë po sillem në mënyrë arrogante me thënë ”Ne s’na intereson çka mendon Amerika’’, me dhënë deklarata skandaloze se duke e refuzuar qëndrimin amerikan po e mbrojmë sovranitetin e Kosovës – Kjo është ofendim për qytetarët e Kosovës”.

Blerim Latifi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se Kosova duhet të jetë e përcaktuar në rrugëtimin e saj për dialogun me Serbinë, pasi në asnjë mënyrë nuk duhet ndjekur trendin e tre vjetëve të fundit.

Latifi tha se bisedimet mes Kosovës e Serbisë, nuk duhet shfrytëzuar për përfitim nga elektorati, njofton Klan Kosova.

”Dialogu krahas kësaj luftës është një proces emergjent i domosdoshëm. Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë në një afat të caktuar qartë dhe të limituar në kohë. Ne duhet ta kemi të qartë se si Kosovë nuk mund të vazhdojmë me trendin e tre viteve të fundit, kur problemet ndërkombëtare të Kosovës i kemi shndërruar në probleme të politikës së brendshme në probleme të luftës për pushtet”.

”Nuk duhet të luftojmë që çështjen e dialogut me Serbinë të pretendojmë me marrë vota. Ky është parimi i parë që çdo politikë racionale në Kosovë duhet ta ndjekë.

Nuk fitohen votat duke e partizuar çështjen e dialogut mes Kosovës e Serbisë. Ne duhet ta mbyllim kontestin me Serbinë. Ne nuk mund t’i trajtojmë çështjet e politikës së jashtme të Kosovës duke injoruar qëndrimin amerikan. Një nga gabimet më të mëdha është relativizimi, që i kemi bërë pozicionit të SHBA-ve në raport me ne. Nuk guxojmë të lejojmë që ky raport të dëmtohet”.

Tutje Blerim Latifi në Zonën Zgjedhore të Klan Kosovës, theksoi edhe nevojën për partneritet më të ngushtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi vendi është shtet i papërfunduar.

Ai shton se nuk mbrohet sovraniteti i Kosovës duke refuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke iu referuar situatës së krijuar pas vendimit të taksës 100%, njofton Klan Kosova.

”Nuk flitet për partneritet, por për një situatë shumë më konkrete. Jemi shtet i cili është krijuar ekskluzivisht nën ndikimin e SHBA-ve. Jemi shtet i papërfunduar sepse nuk jemi në OKB, nuk jemi në mekanizma të tjerë, nuk na kanë njohur disa shtete të cilat kanë rëndësi.

Ne jemi shtet i papërfunduar, e në këtë situatë po sillem në mënyrë arrogante me thënë ”Ne s’na intereson çka mendon Amerika” me dhënë deklarata skandaloze se ”duke e refuzuar qëndrimin amerikan po e mbrojmë sovranitetin e Kosovës” –Kjo është ofendim për qytetarët e Kosovës”.

”Sovraniteti i Kosovës nuk mbrohet duke i thënë ”Jo” SHBA-ve. Duke u sjellë në mënyrë arrogante ndaj tyre. Ajo është arrogancë naive. Ne s’mund të jemi arrogantë në kuptimin fizik, është naivitet, mospërfillje. Ne nuk mund të ecim përpara duke u sjell si sharllatanë. Kosova ka ecë përpara kur kanë qenë dy faktorë në pyetje.

Kur ka qenë një unitet i brendshëm, prej Rambujesë dhe deri tek Pavarësia e Kosovës dhe kur ka funksionuar raporti i Prishtinës me Washingtonin. Sa herë që ne kemi çarje në këto dy rrafshe, Kosova stagnon, Kosova mbetet pas. Në këtë rrafsh, konsideroj që qasja amerikane, qëndrimi amerikan është i domosdoshëm që ne të ecim tutje në përmbylljen e kontestit me Serbinë”.