BQK me njoftim për qytetarët lidhur me bankat në Kosovë pas konfirmimit të rasteve me koronavirus

Përveç dyqaneve ushqimore dhe barnatoreve, edhe bankat në Kosovë janë duke funksionuar normalisht, pavarësisht situatës së krijuar pas konfirmimit të 13 rasteve pozitive me koronavirus që nga 13 marsi deri më sot.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që degët bankare të shfrytëzohen sa më rrallë, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Përmes një komunikate për media, BQK ka sugjeruar qytetarët që të përdorin më shumë kartelat bankare për të kryer shërbimet e tyre, për të parandaluar shpërdarjen e virusit.

“Pas situatës së krijuar si rezultat i #Covid19, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ju njofton se të gjitha Bankat e Kosovës janë duke funksionuar normalisht, ashtu sikur edhe zonat 24/7 dhe bankomatët. Këto hapësira janë duke u dezinfektuar rregullisht nga ana e bankave, por duke pasur parasysh masat mbrojtëse të rekomanduara si pjesë e parandalimit të shpërndarjes së virusit, ju lutemi që degët bankare t’i shfrytëzoni sa më rrallë dhe të përdorni më tepër kartelat bankare, dhe kanalet elektronike për të kryer shërbimet tuaja bankare”, thuhet në komunikatë.