Deputeti i Kuvendit ja zbulon strategjinë Hashim Thaçit: Ai i trajton bashkëpunëtorët sikur çorapet

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se fati i brezave të ardhshëm nuk duhet lënë në duart e presidentit Hashim Thaçi. Sipas tij, ai nuk mund të quhet një person që arrin unitetin në Kosovë.

“20 vite karrierë politike të këtij persona kanë treguar rregullën kryesore të pushtetit që ai e ka. Bashkëpunëtoret i trajton sikur çorapet, nëse i bëhesh servil , nëse je patericë e jetëgjatësisë së tij të mban afër, të ngritë, pak më dashtë të bën kryeministër apo drejtor të inteligjencës (AKI). Por kur e sheh që përmes teje po rrezikohet, nuk të njeh, të shkel, të sakrifikon dhe të hedh si leckë, këtë përvojë e kanë të gjithë bashkëpunëtorët e tij të kaluar. Nëse të ka kundërshtar, së pari të joshë, pastaj ta tërheq vërejtjen, pastaj të kërcënon, ta lëshon policinë, nëse nuk ndalesh t’i hedh në qafë prokurorët e gjyqtarët e korruptuar. Këtë përvojë e ka Vetëvendosje me presidentin Thaçi”.

Këto komente Konjufca i bëri gjatë punimeve të seancës së sotme plenare, ku në rend dite është edhe pika për debat parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi.