E kishin siguruar presidentin e vendit Hashim Thaçi se i kanë votat, prandaj seanca u thirr për 3 gusht.
Që prej përfundimit të zgjedhjeve, nuk lanë ditë pa përmendur se votat i kanë të sigurta, por atyre këtë të enjte iu deshën edhe dy orë kohë për konsulta.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ishin dy partitë që me një orë e gjysmë vonesë, arritën në sallën plenare, raporton KTV.
Të parët erdhën deputetët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, të cilët ndryshe nga herë të tjera të renditur si të tretët në vend, zënë ulëset ku për dy mandate i kishte mbajtur Vetëvendosje.
32 deputetët e Vetëvendosjes u ulën në të djathtë të sallës aty ku ishin vendet e LDK-së.
Ndryshe nga kolegët e koalicionit, Nisma ishte e pranishme.
Kryesuesi i seancës më i vjetri në moshë, Adem Mikullovci, nisi seancën pa PDK-në e AAK-në e pa serbët, por meqë kishte kuorum u zgjodhën anëtarët e komisionit për verifikimin e mandateve.
Më vonë në sallë erdhën serbët, e sërish u kërkua pauzë të plotësohet komisioni.
Një pauzë tjetër u desh të ndodhte edhe pas ardhjes së deputetëve të PDK-së e AAK-së që përfaqësues në komision propozuan Zenun Pajazitin.
Pas verifikimit të mandateve, 120 deputetë u betuan se do të shërbejnë për vendin.
Deputetët e Vetëvendosjes u betuan me flamurin kuq e zi afër.
Kur i erdhi radha pikës së tretë e më të rëndësishmes, zgjedhjes së kryetarit, PAN-i kërkoi pauzë.
Megjithatë, propozimi u hodh në votim, duke marrë kështu vota të barabarta 60 për e 60 kundër.
Ramush Haradinaj nuk e duroi këtë situatë e i pari e lëshoi sallën.
Kryesuesi e mbylli seancën, por pa qartësuar se çfarë do të ndodhë më tutje, e kjo më së shumti i konvenoi koalicionit PAN.
E pas kësaj, Adem Mikullovcit iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe iu ofrua ndihma mjekësore. Më vonë seanca u thirr për orën 15:00.
Asaj iu përgjigjen deputetët e LAA-së e Vetëvendosjes, dhe disa nga minoritetet, por jo edhe PAN-i.
VV-ja e LAA-ja i kanë bërë thirrje PAN-it që ta ndërrojë emrin e kandidatit e kështu nuk do të ketë bllokadë institucionale.
Kryesuesi vendosi ta ndërpriste seancën, për ta vazhduar atë të premten në orën 10:00.