Edhe Hashim Thaçi flet pas takimit me Avdullah Hotin, ka dy fjalë edhe për Lajçak

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk di asgjë për agjendën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili do të mbërrijë nesër për vizitë në Kosovë.

Thaçi më herët ka vënë në dyshim rolin e tij, ndërkohë që edhe sot pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti, tha se Lajçak do të jetë i mirëseardhur vetëm nëse e pranon realitetin në Kosovë.

“Nuk jam informuar me përmbajtjen dhe agjendën e vizitës së Miroslav Lajçakut në Kosovë. Ai duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur dhe sovrane, nëse vjen me këtë qasje, është i mirëseardhur, çdo qasje tjetër është qasje e dështimit të tij në Kosovë dhe e Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë se kush do të udhëheqë me dialogun, ai ose kryeministri, Thaçi ka thënë se këtë e sqaron Kushtetuta.