Ende s’ka datë definitive për takimin Osmani – Abdixhiku

Takimi i paralajmëruar nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me pretendenten për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani nuk dihet se kur do të mbahet.

Pas takimit konsultativ që pati kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me Vjosa Osmanin ai deklaroi se me Osmanin do të takohej gjatë kësaj jave për të diskutuar rreth çështjes së presidentit, shkruan lajmi.net.

“Jemi dakorduar që pas formimit të institucioneve takohemi me pretendenten për kandidate për presidente dhe të kuptojmë më qartë pozicionin e saj si pretendente për presidente karshi LDK-së karshi LVV-së karshi partive opozitare dhe në veçanti karshi nismës së saj politike të paralajmëruar. Pra presim që javën e ardhshme pas formimit të institucioneve të bisedojmë e të presim ftesën nga pretendetja për presidente,” tha Abdixhiku.

Por, nënkryetari i LDK-së Anton Quni në një prononcim për lajmi.net është shprehur se kjo varet nga dakordimi i palëve.

“Varet nga dakordimi në mes të dy autoriteteve”, është shprehur shkurt Quni kur është pyetur lidhur me takimin midis Abdixhikut dhe Osmanit për çështjen e presidentit.

Realizimi i pretendimeve të Osmanit për t’u bërë presidente është në duart e Lidhjes Demokratike të Kosovës pasi deri më tani, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do t’ia bëjnë as kourumin Osmanit.

Kështu, ajo ka deri më tani të sigurta vetëm 58 votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe 9 vota të minoriteteve jo-serbe që janë deklaruar në mbështetje të Kurtit dhe Osmanit.

15 deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës mund ta bëjnë Osmanin presidente në rast se palët pajtohen në ndonjë format të caktuar, por kjo mbetet të shihet vetëm pas takimit të paralajmëruar mes Abdixhikut e Osmanit koha e të cilit nuk dihet.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës ku me 69 vota pro është zgjedhur kryetar Glauk Konjufca i cili do të jetë edhe u.d i presidentit të Kosovës.

E në seancën e dytë të ditës së djeshme është votuar me 67 vota pro qeveria Kurti 2 e cila është e përbërë nga 3 zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.