EULEX Arreston Gjashtë për Krim të Organizuar

Gjatë operacionit të djeshëm, EULEX-i ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për kontrabandë me naftë. Këta persona dyshohen se kanë bashkëpunuar me numrin një të krimit në veri të vendit, Zvonko Veselinoviq.

Misioni Evropian në Kosovë, EULEX ka konfirmuar dje, 29 maj arrestimin e gjashtë personave gjatë një hetimi të madh kundër krimit të organizuar.

Policët e misionit kanë konfiskuar materiale të ndryshme gjatë kërkimeve në disa lokacion private dhe afariste, duke përfshirë disa pompa të benzinës, në disa lokacione të Kosovës.

“Operacionet për kërkim dhe arrestim janë kryer në lidhje me një hetim të gjerë në lidhje me krim të organizuar, kontrabandë me mallra, evazion tatimi, shmangie mashtruese të taksave importuese dhe pastrim parash,” thuhet në kumtesën për shtyp të EULEX-it.

Mësohet se të arrestuarit janë: Mentor Beqiri, vëllai i tij Alberti, vëllezërit Jahë dhe Alban Osmani nga Vushtrria, Halil Hasani si dhe një person tjetër.

Mentor Beqiri, nga Vushtrria ka qenë tri herë i arrestuar. Herën e fundit është arrestuar në vitin 2009 por është liruar në mungesë të ngritjes së aktakuzës nga ana e prokurorëve.

Beqiri dyshohet se ka bashkëpunuar me Zvonko Veselinoviqit duke kontrabanduar naftë që nga pas lufta e Kosovës.

Dëmi që ka pësuar Kosova nga kjo kontrabandë veri-jug besohet të arrihet deri në 400 milionë euro.