Gjyqtari Kalludra vendos ndaj rastit të Albin Kurtit

Motivi se po i kontribuojnë interesit të përgjithshëm iu numërua Albin Kurtit dhe tre deputetëve tjerë të VV-së si rrethanë lehtësuese në marrjen e aktgjykimit.

Më 3 janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim me kusht katër deputetë të Vetëvendosjes.

Deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu u dënuan me kusht për akuzat e prokurorisë për hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës, me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e zi dhe Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, raporton KALLXO.com.

Kurti mori dënim unik me burgim me kusht prej 1 vjet e 6 muaj. Dënimin e njëjtë si ky i fundit e mori edhe Kadaj- Bujupi, e cila në kohën e hedhejes së gazit lotjsllës në sallë të Kuvendit ka qenë deputete e AAK-së.

Dënim me kusht më i ulët u shqiptuar ndaj Albulena Haxhiut dhe atë tre muaj më pak, pra 1 vjet e tre muaj, ndërsa Topalli u dënua me një muaj më pak se Haxhiu.

Dënimi është me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.

Mirëpo, tash pas më tepër se dy muajve, Gjykata ka përpiluar aktgjykimin përmes të cilit është dhënë arsyetimi mbi dënimin e shqiptuar.

Ndër të tjera, në këtë aktgjykim, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, janë shpjeguar edhe rrethanat të cilat kanë çuar deri në dënim me kusht ndaj të akuzuarve.

Sipas këtij aktgjykimi, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka cilësuar si rrethana lehtësuese tre fakte, derisa nuk ka gjetur asnjë rrethanë rënduese tek të akuzuarit.

Andaj, me rastin e vlerësimit të rrethanave lehtësuese të cilat ndikojnë në përcaktimin e llojit të dënimit, e lartësisë së dënimit për të akuzuarit, fillimisht gjykata ka vlerësuar si rrethanë lehtësuese faktin se të akuzuarit nuk kanë qenë më parë të gjykuar apo të dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.

Së dyti, rrethana e dytë lehtësuese është fakti se të akuzuarit janë familjarë, të martuar dhe kanë fëmijë të një moshe të re.

Së fundmi, gjithnjë sipas aktgjykimit, gjykata ka vlerësuar motivin e të akuzuarve për kryerjen e veprës penale, si rrethanë lehtësuese. E ai motiv, sipas aktgjykimit, është besimi se të akuzuarit me veprimet e tyre janë duke i kontribuar një interesi të përgjithshëm.

Ndërkaq, sa i përket rrethanave rënduese, në mungesë të tyre, gjykata ka vlerësuar se dënimet e shqiptuara ndaj tyre janë në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarve, intensitetit e rrezikimit të vlerave të mbrojtura, dhe në këtë mënyrë do të ndikojë në parandalimin e të akuzuarve nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, do të bëjë rehabilitime të të njëjtëve, si dhe do të ndikojë në vetëdijesimin dhe përmbajtjen e personave të tjerë nga kryerja e veprave penale, çka është edhe qëllimi i dënimit.

Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj deputetëve të VV-së.
Më tej, në arsyetimin e aktgjykimit, gjykata ka vërtetuar gjendjen faktike se të akuzuarit kanë kryer veprën penale përmes provave materiale dhe dëshmive të dëshmitarëve, siç janë dëshmitë e të të dëmtuarave Flora Brovina dhe Blerta Deliu, dëshmitarëve Bekim Haxhiu, Leonora Halimi, Shpresa Gosalci, Xhavit Haliti, Nuredin Ibishi, Armend Zemaj dhe Naser Osmani, si dhe provat material siç janë CD- të me video incizime, raportin e datës 28 nëntor 2015, fotodokumentacioni, si dhe mendimi i ekspertit për natyrën e lëndimeve për të dëmtuarat Flora Brovina dhe Blerta Deliu- Kodra.

Ndërkaq, Gjykata në këtë rast kishte refuzuar propozimin e të akuzuarve që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen Ramush Haradinaj, Pal Lekaj, Daut Haradinaj, Bali Muharremaj, Time Kadrijaj, Rrustem Berisha, Lah Ibrahimaj, Teuta Haxhiu, Ali Berisha, Valdete Bajrami, Fatmir Limaj, Haxhi Shala, Shukrie Bytyqi, Zafir Berisha, Enver Hoti, Shpejtim Bulliqi, Martin Berishaj, Florim Isufaj, Kushtrim Istrefi, Hashim Thaçi, Skender Hyseni, Isa Mustafa, Kadri Veseli, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Visa Ymeri, Rexhep Selimi, Fisnik Ismajli, Besa Baftiu, Shqipe Pantina, Ismajl Kurteshi, Mytaher Haskuka.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit kishin kërkuar dëgjimin e këtyre dëshmitarëve me arsyetimet e tilla se dëgjimi i një pjese të tyre, në cilësinë e dëshmitarëve duhet bërë për shkak se veprimet i kanë ndërmarrë bashkërisht, ndërsa për një pjesë të dëshmitarëve, meqenëse janë nënshkrues të marrëveshjeve apo i të tjerëve se janë ekspertë në fushat për të cilat janë nënshkruar marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë apo në mes Kosovës e Malit të Zi,

Mirëpo, aktgjykimi sqaron se deri te refuzimi i dëgjimit të këtyre dëshmitarëve ka ardhur me arsyetimin se nuk kishin relevancë në këtë çështje penale.

“…janë arsyetime jo relevante, pasi që me dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, nuk do të vërtetohej ndonjë rrethanë relevante në këtë çështje penale, dhe po ashtu kjo mungesë relevance shprehet në njërën anë, në faktin se vet të akuzuarit gjatë deklarimeve të tyre, ndër të tjera kanë pohuar faktin se i kanë ndërmarrë veprimet e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, e për rrjedhojë çka do të duhej të dëshmonin këta dëshmitarë të propozuar të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve, dhe në anën tjetër, në faktin se çështja e marrëveshjeve, procedurave në kuvend, sjelljeve të deputetëve në kuvend, marrëveshjet e ndryshme, janë çështjet krejtësisht irelevante për gjykatën, sa i përket elementeve qenësore të figurës së veprave penale, për kryerjen e të cilave janë ngarkuar të akuzuarit”, sqarohet më tej në aktgjykim.

Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në akuzën për përdorim të armës, deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg. Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burg.

Deputetja Albulena Haxhiu për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim. Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj.

Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 3 muaj, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënim unik: 1 vit e 6 muaj.

Ndërsa, deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.

Të gjitha këto dënime janë me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.

Gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se veprimet e tyre ishin vetëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke parandaluar kështu një të keqe të madhe që po i kanosej Kosovës, apo siç e quajtën ata “faljen e mijëra hektarëve tokë dhe bosnjëzimin e Kosovës”.

Madje, prej disa prej të akuzuarve u tha se ndihen krenarë për veprimet që i ndërmorën ndërsa se veprimet e tyre ishin të drejta, të gjithë deputetët e akuzuar të këtij rasti përmenden vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që gjeti se disa prej pikave të Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Krejt këto argumente nuk e bindën prokurorin e rastit, Valdet Gashi, i cili kërkoi nga Gjykata që t’i shpallë fajtorë të akuzuarit sepse, sipas tij, është provuar se ata e kanë kryer veprën penale.

Pjesë e këtij gjykimi në cilësinë e dëshmitarëve ishin edhe disa deputetë dhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, si Flora Brovina, Blerta Deliu-Kodra, Nuredin Ibishi, Xhavit Haliti, Bekim Haxhiu dhe Armend Zemaj.

I propozuar për t’u dëgjuar si dëshmitarë ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, por prokurori çuditërisht u tërhoq nga dëgjimi i dëshmisë së tij.

Gjykata Themelore e Prishtinës u dha epilog të gjitha këtyre pretendimeve duke shpallur aktgjykimin lidhur me pretendimet e prokurorisë dhe të akuzuarve.