Kështu janë çmimet e derivateve, por a pritet që të ndryshojnë deri në fundvit

Shpesh herë shoferët në Kosovë habiten me lëvizjen e shpeshtë të çmimeve të derivateve.

Për fat të mirë kohëve të fundit çmimet e derivateve në përgjithësi në vend kanë qenë stabile.

I kontaktuar nga Indeksonline, Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka deklaruar se kohëve të fundit pati rritje të çmimit në import me pakicë, por nuk ka lëvizje të çmimeve.

Çmimet janë: Dizelli, 1.15 kurse Benzina, 1.16.

“Çmimet e derivateve i dikton Berza dhe Organizata Prodhuese OPEC, ku çdo ngritje e çmimit apo ulje po reflekton edhe te ne në Kosovë” tha ai.

I njëjti shtoi se sa i përket çmimit deri në fund të vitit nuk mund të parashikohet, sepse mund të ketë rritje apo rënie dhe e gjithë kjo varet nga organizata prodhuese OPEC.

“Varet sa do të jetë sasia e prodhimit. Në qoftë se rritet prodhimi, çmimi do të jetë më i ulët”, përfundoi ai.

Në Kosovë ka kohë që qytetarët ankohen për çmimet e derivateve ngase ato janë të larta, krahasuar me bazën ekonomike në vend.

Në bazë të disa statistikave, qytetarët e Kosovës për muajt e fundit të vitit 2018 dhe muajt e parë të vitit 2019 kanë shpenzuar mbi 413 milionë litra derivate. Nëse llogaritet një litër derivate me 1.20 cent, sa ka qenë çmimi gjatë vitit 2018, rezulton që kanë shpenzuar mbi 500 milionë euro.

Nafta apo ari i zi, është ndër produktet më të kërkuara dhe më fitimprurëse edhe në Kosovë./Indeksonline/