Kryetarët e Komunave të Kosovës të pakënaqur me pagat e tyre sipas Draft Ligjit për pagat

Ligji për pagat, i cili ka kaluar në Qeverinë e Kosovës, ka lënë të pakënaqur kryetarët e Komunave të Kosovës, të cilët këtë pakënaqësi e kanë shprehur në një takim që është mbajtur sot në Këshillin e kryetarëve në asociacionin e Komunave të Kosovës, raporton portali Veriu.info.

Në mbledhjen e drejtuar nga Agim Veliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, kryetarët e Komunave sot kanë diskutuar dhe kanë shprehur shqetësimin për trajtimin jo të mirë të tyre nga Draft Ligji për pagat.

“Pas diskutimeve dhe debatit, Këshilli i kryetarëve doli me qëndrimin që, të ketë vetëm dy nivele të pagave të kryetarëve të komunave, (kryetari i kryeqytetit dhe kryetarët e komunave tjera), pastaj që paga e kryetarit të Kryeqytetit të jetë në minimum me koeficient 7.5 kurse paga e Kryetarëve të të gjitha Komunave tjera të ketë koeficientin minimumi 7.0”, thuhet në njoftimin nga ky takim.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ministri i MAP-it, Mahir Jagxhillar i cili tha se rekomandimet dhe arsyetimet në këtë debat dhe do t’i përcjell më tutje në mënyrë që të balancohen nevojat dhe kërkesat edhe në këtë projektligj. /Veriu.info/