LDK fajson Kadri Veselin për Grevat, ja çfarë i thotë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kosovës, ka thënë se siç duket situata parlamentare në Kosovë do të vazhdojë me avazin e vjetër.

Hoti ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK’së, Kadri Veseli po ia krijon përshtypjen që qëllimisht po zhagitë disa prej çështjeve më të rëndësishme të vendit.

“Sapo e mbaruam mbledhjen ku shqyrtuam çështjet që janë me urgjencë. Do të vazhdojë avazi i vjetër, kur të gjitha seancat e hapura kanë mbetur ashtu. 64 pika të rendita për seancat e radhës, po krijohen me qëllim që të zhagiten këto çështje”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, Veseli po i bën qëllimisht këto çështje. Madje, ai thotë se në këtë mbledhje të Kryesisë, Veseli nuk shqyrtoi fare çështjet e krizës në shëndetësi e arsim.

“Kjo ishte mbledhja e parë, dhe kryetari i Kuvendit e PDK-së nuk e shqyrtoi fare çështjen e krizës në shëndetësi e arsim, e me paralajmërimet që mund të ketë greva edhe nga shërbyesit civil. S’po marrin përgjegjësi. Pavarësisht që i kanë lënë në shtëpi qindra mijëra nxënës. Edhe me greva të minatorëve po ndodh e njëjta gjë, shkak për këtë janë punësimet pa kritere. As mjekët nuk mund t’i mbajnë me premtime boshe. E kanë fut vendin në krizë, do të kërkojmë përgjegjësi për këto çështje”, tha tutje Hoti.