Në Mitrovicë u përkujtua Dr. Bajram Rexhepi me rastin e njëvjetorit të vdekjes

Nën patronatin e kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri dhe në organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, RTV Mitrovica dhe Radio Ylberi, në Mitrovicë është mbajtur Akademi Përkujtimore me rastin e një vjetorit të vdekjes së ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi.

Në akademi morën pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, familjarë të të ndjerit Rexhepi, ministra, zëvendësministra, deputet të Kuvendit të Kosovës, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë të të ndjerit dhe shumë qytetarë të Mitrovicës, rajonit e më gjerë.

Duke folur i pari në akademinë përkujtuese, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, tha se një vit më parë, lajmi i rëndë dhe i dhembshëm për vdekjen e mjekut tonë të dashur, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, pjesëmarrësit në Ushtrinë tonë Çlirimtare, Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, kryebashkiakut të parë të Mitrovicës e më vonë edhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës, humanistit të madh dhe liridashësit Bajram Rexhepi, ua lëkundi zemrat të gjithëve.

Ai në vazhdim tha se ishte kjo një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, mitrovicasit, por edhe për tërë vendin. Lajmi për vdekjen e Bajram Rexhepit i kishte prekur të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos ata të Mitrovicës, ku ai lindi, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, ku kontribuoi me tërë qenien e tij për ngritjen e nivelit shëndetësor, në organizimin e përgjithshëm për lirinë dhe pavarësinë e popullit të tij.

“Sot, një vit më pas, kur jemi tubuar këtu për të kujtuar këtë kolos të Kosovës, ne mitrovicasit, por besoj edhe të gjithë shqiptarët, po e ndjejmë me të madhe mungesën e këtij njeriu të mirë, shpirtbardhë dhe humanist i madh, i cili ka lënë gjurmë të thella në këtë mjedis dhe në tërë Republikën e Kosovës. Shumë punë me dobi kombëtare e shtetërore janë të lidhura me emrin e Dr. Bajram Rexhepit”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësuan lartë figurën e Bajram Rexhepit dhe kontributin e tij dhënë, pra, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Për jetën dhe veprën e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi foli Nexhmedin Spahiu, ndërsa kujtime për ish-kryeministrin Rexhepi evokoi kolegu i tij, Faik Bllata.

Në emër të familjes të pranishmit i përshëndeti Vanesa Rexhepi, vajza e ish kryeministrit Bajram Rexhepi, duke thënë se veprat e babait të saj janë udhëzues të rrugës së saj dhe gjithsecilit që e njohën ish-kryeministrin Rexhepi.