Sveçla: Për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, PDK duhet t’i përmbushë këto kushte

Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla ka thënë se Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova në vazhdimësi ka qenë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Xhelal Sveçla ka thënë se edhe tash me rastin e Gjykatën Speciale, LDK po e mban qëndrimin e njëjtë. Ky zyrtar i Vetëvendosjes ka kushtëzuar votën e partisë së tij për rrëzimin e Speciales me rrëzimin edhe të demarkacionit e asociacionit.

Sidoqoftë, ky deputet i Vetëvendosjes ka thënë se për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, duhet PDK t’i përmbushë disa kushte, ndër ta edhe largimin e Hashim Thaçit nga pozita e Presidentit.

Po ashtu, ai ka thënë se duhet shfuqizuar edhe marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi dhe marrëveshjen për Asociacionin e Komunave e arritur në Bruksel me Serbinë.

Ja shkrimi i plotë në Facebook:

Lidhur me situatën e krijuar rreth Gjykatës Speciale, qëndrimin tonë e tha qartë Glauk Konjufca. Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër njollosjes dhe gjykimit të padrejtë të UÇK-së.

Por votimi për shfuqizimin e ligjit per Gjykatën Speciale pa kushte nuk do të ishte votim parimor. Përkundrazi do të ishte votim gjysmak që i intereson vetëm PDK-së dhe që më shumë e dëmton Kosovën sesa që ndihmon UÇK-në.

Ta votosh shfuqizimin e ligjit e mos ta ndryshosh Kushtetutën ku Gjykata Speciale është bërë kategori, vetëm sa shkakton vonesa e konfuzion që i konvenojnë Hashim Thaçit për një tentativë të re të tij për pazare për të shpëtuar lëkurën e tij.

Sot PDK duket se po trembet nga GjS dhe po bën kërkesë për shfuqizimin e ligjit për GjS. Qëndrimi i LDK nga ana tjetër është si zakonisht kundër UÇK, edhe pse vetë këta e kanë mbajtur në pushtet PDK-në për shumë vite, dhe e kanë bërë Thaçin president.

Vetëvendosja nuk është as LDK e as PDK. Unë mendoj se nuk duhet ta mbështesim Gjykatën Speciale, por as nuk duhet të bëhemi pjesë e lojërave të PDK-së.

Nëse duhet vota jonë për ta shfuqizuar këtë ligj, atëherë unë jam i mendimit se ne duhet të votojmë për shfuqizimin vetëm nëse PDK-ja i zbaton paraprakisht dy kushtet e mëposhtme, për të na bindur se nuk është vetëm manipulim nga ana e Thaçit.

Dorëheqja e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit të Kosovës është domosdoshmëri.
Të shfuqizohen paraprakisht edhe dy marrëveshjet e dëmshme dhe antikombëtare të vitit 2015, ajo për demarkacionin dhe ajo për Zajednicën.
Pra, nëse realizohen këto dy kushte publiku bindet se PDK nuk po manipulon, dhe atëherë do të duhet të votojmë edhe për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. E gjithsesi edhe nga kushtetuta e Kosovës.

Vetëm kështu do të krijohej klima për mobilizim e kohezion shoqëror që të mirremi me problemet e mëdha që mundojnë këtë vend. Me Hashim Thaqin të sigurt e kemi vetëm dështimin e Kosovës. Pa te e klikën e tij mbrojmë Kosovën dhe luftën e shenjtë të UÇK-së