Vuçiq në Alpbach: S’e pranojmë pavarësinë e Kosovës pa fituar asgjë në këmbim

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Forumin Europian në Alpbach se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, pa fituar asgjë në këmbim nuk ka gjasa të ndodhë.

Në konferencë për media, në të cilën përveç Thaçit e Vuçiqit ishin edhe presidenti austriak, Aleksander Va nder Bellen, ai i Sllovenisë, Borut Pahor dhe komisioneri europian, Johannes Hahn, presidenti serb deklaroi se është e domosdoshme që të zgjidhet konflikti qindravjeçar mes serbëve e shqiptarëve.

“Ne duhet të zgjidhim problemet tona me shqiptarët, për hir të serbëve, për hir të shqiptarëve dhe për hir të gjithë rajonit. Sepse serbët e shqiptarët janë bindshëm popujt më të mëdhenj në rajon”, ka deklaruar Vuçiq.

“Nuk jam i sigurt se njerëzit në Serbi do të mbështesin ndonjë marrëveshje, por ne do të bëjmë më të mirën për të zgjidhur problemin qindravjeçar. Premtimi për njerëzit e mi është se do të investojmë të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje finale për problemin me shqiptarët”.

“Zgjidhja do të jetë e dhimbshme për të dyja vendet, por kjo do të thotë që në të dyja anët do të ketë sadopak kënaqësi gjithashtu. Pranimi i Pavarësisë së Kosovës dhe mosfitimi i asgjëje nuk do të ndodhë”.

“Por, edhe ata që mendojnë se konflikti i ngrirë do të vazhdojë përgjithmonë, nuk është ashtu, sepse dikush dikur do ta shkrijë dhe më pas do të kemi luftë. S’mund të them se tani jemi më afër, ose më larg, sepse derisa nuk pajtohemi për gjithçka i bije se ende nuk jemi pajtuar për asgjë”.

“Ne kemi dallime të mëdha për çështjen e paqes dhe kjo nuk është sekret”.