Zv/kryeministri Abazi kundër veprimeve të qytetarëve: Marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka thënë se nuk do të ketë asnjë kufizim të tregtisë në kuadër të masave për menaxhimin e situatës me koronavirus, por ka paralajmëruar masa ndaj shtrenjtimit të çmimeve.

Abazi ka deklaruar se marketet, të cilat janë vërshuar nga qytetarët pas vendimit të qeverisë, do të jenë vazhdimisht të furnizuara.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, dua t’ju informoj për diçka shumë të rëndësishme. Në kuadër të masave për menaxhimin e situatës me coronavirus, nuk do të ketë asnjë kufizim në tregtisë”, ka thënë zëvendëskryeministri Abazi.

“Marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara. Në gjithë botën, edhe aty ku ka epidemi, tregtia vazhdon. Pra nuk ka nevojë të blini mallra dhe gjësende më shumë se zakonisht”.

Abazi ka thënë se “po ashtu, i bëjmë thirrje tregtarëve të mos i shtrenjtojnë produktet pa nevojë dhe artificialisht”.

“Ky shtrenjtim duhet ndalur, përndryshe qeveria do të detyrohet të marrë masa. E përsëris, nuk do të ketë asnjë kufizim të tregtisë së jashtme dhe të brendshme. Kështu ndodh dhe në të gjitha vendet e botës, kështu ndodh dhe te ne. Marketet do të kenë vazhdimisht mallra, njësoj si më përpara”, ka thënë numri tre i qeverisë.

Ky reagim i Abazit erdhi pasi ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk e tha asnjë fjalë për tregtinë në kuadër të masave për parandalimin e koronavirusit. /Insajderi.com