Zyrtari i VV’së paralajmëron protesta gjithëshqiptare nëse Kurti largohet edhe nga ulësja e Kryeministrit

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të VV’së, Boiken Abazi, ka paralajmëruar protesta të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë nëse Albin Kurti  i shkarkuar me 2/3 e votave të deputetëve, largohet edhe nga ulësja e Kryeministrit.

Gjithë veprimet për të mandatuar një Qeveri i ka quajtur grusht shtet.

“Në protestë kundër grushtit të shtetit në Kosovë, që po tenton Hashim Thaçi me shokë, do ngriheshin jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe mërgata. Jam i bindur për këtë! Le të na arrestojë Edi Rama që e ka qepur gojën përball kësaj pandemie politike”, ka shkruar Boiken Abazi.

Në një intervistë televizive, Kurti ka paralajmëruar se çdo vendim të Presidenti do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, vendimet e së cilës do t’i zbatojë.

Ndryshe,  Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK’ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm  40 ditë.